Numri 143    Viti III                                                                 23 Maj 2007

Ekonomi

"Këshilli nismëtar nuk është organ legjitim"

Drejtuesi i procesit të falimentimit në SHA "Plastika Medicinale", Miodrag Gjorgjeski konsideron se këshilli nismëtar për shpëtimin e kësaj ndërmarrjeje është një organizim jo legjitim dhe nuk mund të marrë pjesë në procesin e falimentimit që është në rrjedhë. Qëndrimin e këtillë Gjorgjeski e bëri të ditur në takimin e javës së kaluar që e organizoi këshilli nismëtar, duke përmendur se në këtë procedurë organe legjitime janë gjykatësi i falimentimit, drejtuesi i falimentimit, këshilli i kreditorëve dhe kuvendi i kreditorëve. Ai punëtorëve të pranishëm u tha se nuk dëshiron të marrë pjesë në punën e organeve jo legjitime dhe e lëshoi mbledhjen.
Pas vendimit të këshillit të kreditorëve ta pranojë propozimin e drejtuesit të falimentimit, procedura e likuidimit u ngri për 60 ditë. Në ndërkohë, drejtuesi i falimentimit është duke shqyrtuar mundësitë nëse mund të ndërmerret diçka në drejtim të anulimit të veprimeve juridike nga fillimi i vitit 2005 deri në fund të viti 2006, kur sipas Gjorgjeski, e tërë prona e "Plastika medicinale" është tjetërsuar dhe marrë nga “Banka e Tetovës” dhe “Banka Kreditore Teteks”, të cilat më vonë u bashkuan dhe e formuan TTK Banka.
"Nuk mund të ofroj plan për riorganizimin e "Plastika medicinale", pasi që në periudhën nga viti 2005 deri 2006 firma mbeti pa objekte, mjete për punë dhe tokë. E tërë prona është reduktuar në një barakë, pus dhe bodrum. Mjete në xhirollogarinë në denarë dhe në atë në valutë ka disa shuma simbolike dhe atë 9 milionë denarë respektivisht 20,000 euro. Borxhi i përgjithshëm ndaj kreditorëve të firmës është rreth 280 milionë denarë ose 4,5 milionë euro", u tha Miodrag Gjorgjeski kreditorëve që ishin të pranishëm në seancën e fundit të raportimit.
Këshilli iniciativ për shpëtimin e "Plastika medicinale" e përkrah kombinatin "Teteks" në idenë të ristartohet një pjesë e kapaciteteve prodhuese të fabrikës. Kjo vijon pas vendimit të byrosë së barërave pranë Ministrisë së Shëndetësisë për rikonstruimin e repartit prodhues të ShA "Plastika medicinale". është paralajmëruar i tërë aktiviteti të përfundojë për dytre muaj pas çka, sipas paralajmërimeve, do të punësoheshin rreth 150 persona. "Plastika e re Medicinale" është paraparë të prodhojë një pjesë të asortimanit, i cili prodhohej në ShA "Plastika medicinale" në të kaluarën.
Me aktvendim të gjykatës themelore në Tetovë, SHA "Plastika medicinale" nga 14 dhjetori 2006 është në falimentim për shkak të xhirollogarisë së bllokuar. Për shkak të borxhit prej 300.000 euro për energji të harxhuar elektrike disa rroga dhe kontribute të papaguara për sigurim pensional dhe invalidor, fabrika nuk punon nga muaji shtator i viti 2006, ndërsa të gjithë 430 të punësuarit ishin në pushim të detyrueshëm. "Plastika medicinale" në Tetovë është vënë në punë në vitin 1981, si pjesë e KKE "Jugohrom". Nga viti 1996 fabrika funksionoi si shoqëri e veçantë aksionare.


Të tjera:

"Këshilli nismëtar nuk është organ legjitim"
Gostivar: Bujqit mund të konkurrojnë për 26 hektarë tokë shtetërore
Inspektorati do të vazhdojë ndjekjen e "tregtarëve" të trotuareve
Gjoba për zejtarët që nuk do të nxjerrin vendime të reja
Organizohet panairi i shtatë me radhë i Tetovës
Numri i personave me handikap që kërkojnë punë nuk ndryshon

TOP