Numri 143 Viti III
23 Maj 2007
Ekonomi
Numri i personave me handikap që kërkojnë punë nuk ndryshon
Tani më një vit e gjysmë numri i personave të papunë me nevoja të veçanta në Gostivar nuk ka ndryshuar. Në qendrën për punësim në Gostivar janë evidentuar 40 persona me nevoja të veçanta që kërkojnë punë. Ky numër është i pandryshuar nga janari i vitit 2006. Edhe krahas beneficioneve që janë paraparë për punësimin e personave me nevoja të veçanta, punëdhënësit nuk tregojnë interesim dhe rrallë ofrojnë mundësi në biznesin e tyre për këtë kategori të qytetarëve.
Statistika flet se nga numri i përgjithshëm i personave të papunë me nevoja të veçanta, 13 janë gra. Problem në vete paraqet mosha, pasi që pjesa më e madhe e këtyre personave, gjithsej 12, janë të moshës nga 55 deri 59 vjeç. Mbi 60 vjeç janë regjistruar 7, ndërsa nga 45 deri 49 vjeç janë regjistruar dhjetë persona me invaliditet që kërkojnë punë. Të dhënat tregojnë se ndër personat e papunë me nevoja të veçanta nuk ka më të rinj se 40 vjeç. Sa i përket shkallës së arsimimit, më shumë se gjysma janë punëtorë të pakualifikuar. Gjysma e të regjistruarve në listën e qendrës për punësim janë invalidë të punës.
Në ligjin për punësim të personave me handikap janë paraparë masa për përmirësimin e kushteve për punësim dhe punë të personit me handikap. Për stimulimin e punëdhënësve për punësimin e tyre është paraparë lirim nga tatimet dhe sigurimi i mjeteve për kontributet shoqërore. Për punësimin e personave me nevoja të veçanta në kohë të pacaktuar ndahen mjete të pakthyeshme, ndërsa bëhet edhe adaptimi i vendit të punës, ku do të punojë një person i kësaj kategorie.
Të tjera:
"Këshilli nismëtar nuk është organ legjitim"
Gostivar: Bujqit mund të konkurrojnë për 26 hektarë tokë shtetërore
Inspektorati do të vazhdojë ndjekjen e "tregtarëve" të trotuareve
Gjoba për zejtarët që nuk do të nxjerrin vendime të reja
Organizohet panairi i shtatë me radhë i Tetovës
Numri i personave me handikap që kërkojnë punë nuk ndryshon
TOP
|
|