Numri 143    Viti III                                                                 23 Maj 2007

Gruaja dhe Familja

"Nuk duhet hyrë në
marrëdhënie seksuale me çdo çmim dhe me cilindo person"!

"Të rinjtë sot fillojnë të kenë marrëdhënie seksuale që në pubertetin e hershëm, pa arritur pjekurinë e nevojshme psikike dhe fizike. Më i rrezikshëm është fakti se ata nuk informohen për mënyrat e mbrojtjes, sëmundjet që transmetohen seksualisht, apo edhe për pasojat që mund të ketë një sjellje e këtillë më vonë. Këtu qëndron shkaku për praninë gjithnjë e më të shpeshtë të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme tek të rinjtë. Dhe pikërisht nga fakti se janë të rinjtë të paudhëzuar, të painformuar, ata fshehin problemet eventuale duke pasur turp dhe frikë nga rrethi dhe prindërit. Përpiqen të shërohen vetë, ndërsa në mjek paraqiten vetëm atëherë kur sëmundja është në fazë të zhvilluar dhe simptomat janë shumë të shprehura". Kështu shprehen gjinekologët për fillimin tepër të hershëm të marrëdhënieve intime dhe rreziqet që u kanosen të rinjve. Vlerësim i gjinekologëve në Gostivar është se në mënyrë drastike është zvogëluar kufiri i përvojës së parë seksuale. Nëse më parë kjo ka ndodhur rreth moshës tetëmbëdhjetë vjeçare, tani tinejxherët fillojnë të kenë marrëdhënie në moshën 1415 vjeçare.
Sëmundjet janë ato që të rinjtë më së paku mendojnë kur vendosin të bëhen seksualisht aktivë. Nuk shkojnë në kontrolle, këshillime, rrallë herë për këtë temë bisedojnë me prindërit. Informimi i tyre bëhet nëpërmjet bisedave të ndërsjella dhe leximin e revistave. Më parë nëpër shkollat e mesme në Gostivar janë organizuar ligjërata, mirëpo tani kjo praktikë është harruar. Edhe këshillimorja gjinekologjike pas ndarjes nga qendra mjekësore kaloi në histori. "Një prej faktorëve më të rrezikshëm që kanë të bëjnë me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, është fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale dhe ndërrimi i partnerëve pa përdorimin e mbrojtjes. Atyre fëmijëve duhet t`u sqarohet se seksi është nevojë jetësore, një prej epsheve më të forta dhe se ai nuk duhet të fshihet. Mirëpo, duhet të dinë se marrëdhëniet seksuale nuk duhet të fillohen të prirë nga moda, pasi që përvoja e parë do t`i ndjekë gjatë tërë jetës. Nuk duhet hyrë në marrëdhënie seksuale me çdo çmim dhe me cilindo person", thotë Zoran Nofitoski, gjinekolog akusher në spitalin e Gostivarit. Rekomandimi i tij është që vajzat të cilat janë bërë seksualisht aktive, të bëjnë kontrolle gjinekologjike dhe të kërkojnë këshilla nga gjinekologu i tyre. Vlerësimet e tija thonë të kundërtën. Në kontroll shkohet kur shfaqen probleme, ndërsa këshilla nuk kërkohen aspak.
Klamidia, kandida, herpesi gjenital, hepatiti B dhe C, HPV, gonorea, sifilizi, janë sëmundje seksualisht të transmetueshme, për të cilat mjekët thonë se janë të pranishme edhe te ne. Mirëpo, zyrtarisht në evidenca ka jo më shumë se një, ose dy raste të regjistruara. Këto koncepte për fëmijët pesëmbëdhjetëvjeçarë janë të panjohura. "Më e shpeshtë dhe më aktuale është infektimi HPV, i cili tek gratë zbulohet nëpërmjet PAP testit. Prandaj është i rëndësishëm kontrolli i rregullt tek gjinekologu. Në këtë drejtim është edhe sigurimi i PAP testeve falas për të gjitha gratë nga 19 deri 65 vjeç, të cilat nuk kanë sigurim shëndetësor", tha Nofitoski.


Të tjera:

Zbulohet përqindje e lartë e grave që vuajnë nga osteoporoza
Rreth 200 gostivarase të diplomuara kërkojnë punë
Masat konkrete kundër dhunuesve qëndrojnë vetëm në letër
Mësoni më shumë për shëndetin tuaj reproduktiv
"Nuk duhet hyrë në marrëdhënie seksuale me çdo çmim dhe me cilindo person"!
Sëmundjet jo ngjitëse, një problem jo vetëm shëndetësor
Thinjat, dukuri normale apo pasojë e streseve

TOP