Numri 143    Viti III                                                                 23 Maj 2007

Gruaja dhe Familja

Sëmundjet jo ngjitëse, një problem jo vetëm shëndetësor

Në artikujt e mëparshëm të kësaj rubrike, lexuesit i njohëm me shumë sëmundje ngjitëse, mënyrat e infektimit e veçanërisht mënyrat e mbrojtjes nga to. Në disa artikuj në vijim në kuadër të Këshillave mjekësore, do të përqendrohemi në karakteristikat themelore të sëmundjeve jo ngjitëse, të cilat me masivitetin, morbiditetin dhe mortalitetin e tyre paraqesin si problem për shumë shtete në botë. Sëmundje jo ngjitëse janë ato sëmundje të cilat njerëzit i fitojnë me kalimin e kohës dhe kanë disa karakteristika: shkaktohen dhe zhvillohen shkallëshkallë dhe pa u vërejtur, lënë pasoja të përhershme ndaj shëndetit, janë rezultat i ndryshimeve të pakthyeshme patologjike dhe kërkojnë periudhë të gjatë të mbikëqyrjes, terapisë dhe kujdesit mjekësor.
Sëmundjet ngjitëse në të kaluarën me masivitetin e tyre, epidemitë e mëdha dhe vdekshmërinë, kanë lënë hapësirë të vogël që të mendohet për sëmundjet jo ngjitëse. Bile edhe në fillim të shekullit XX mbi 50% e të gjitha vdekjeve në Evropë kishin të bëjnë me vdekjet nga sëmundjet ngjitëse. Por, zhvillimi i shkencës dhe ekonomisë kontribuoi sëmundjet jo ngjitëse të kthehen në dominuese, qoftë sipas morbiditetit ashtu edhe për nga mortaliteti. Vetëm sa për krahasim, në fillim të shekullit XXI në strukturën e të vdekurve, sëmundjet ngjitëse janë të përfshirë me më pak se 2% nga të gjitha vdekjet. Interes i veçantë për sëmundjet jo ngjitëse është shfaqur në gjysmën e dytë të shekullit XX. Sot, në vendet në zhvillim por edhe në një pjesë të mirë të vendeve të zhvilluara, sëmundjet jo ngjitëse me masivitetin e tyre dhe mortalitetin e lartë, shfaqen jo vetëm si problem shëndetësor por edhe një problem social dhe ekonomik. Vend të veçantë marrin disa grupe të sëmundjeve jo ngjitëse kronike siç janë: sëmundjet kardiovaskulare, maligne, të sistemeve respirator, diabeti, neuropsikiatrike dhe traumat.
Bëhet fjalë për sëmundje të cilat zgjasin gjatë dhe kërkojnë mjekim afatgjatë. Nuk ka shërim spontan, rrallë vjen deri në shërim të tërësishëm, ndërsa vdekshmëria është e lartë.
Organizata Shëndetësore Botërore vlerëson se në vitin 2020 sëmundjet jo ngjitëse do të shkaktojnë më shumë se 70% të numrit të përgjithshëm të sëmundjeve. Grupi më i pranishëm i sëmundjeve jo ngjitëse kronike, si sipas morbiditetit ashtu edhe sipas mortalitetit, janë sëmundjet kardiovaskulare. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo i pesti banor ka ndonjë shqetësim kardiovaskulare, ndërsa çdo vit regjistrohen mbi një milion raste të reja të sëmundjeve maligne. Sëmundjet kardiovaskulare dhe maligne janë me mortalitet më të lartë edhe në rang botëror. Këto dy sëmundje së bashku me diabetin përbëjnë 80% të gjitha vdekjeve në Evropë. Në Republikën e Maqedonisë numri më i madh i rasteve të vdekjeve ka të bëjë me katër grupet: sëmundjet kardiovaskulare, maligne, të sistemit endokrin dhe lëndimet. Sidoqoftë nga të gjitha grupet, përqindje më e madhe e rasteve të vdekjeve ka të bëjë me sëmundjet kardiovaskulare.

Faktorë rreziku

Ndaj disa faktorëve të rrezikshmërisë, organizmi i njeriut është ekspozuar nga mosha më e re. Sëmundjet jo ngjitëse shfaqen pas veprimit shumëvjeçar të faktorëve të rrezikut, që do të thotë nevojitet akumulim i veprimit të tyre ndaj organizmit ose ndaj organeve të caktuara.
Ka më shumë faktorë të cilët në mënyra të ndryshme, disa më shumë e disa më pak, kontribuojnë për shfaqjen e sëmundjeve të caktuara jo ngjitëse. Ekzistojnë më shumë grupime të këtyre faktorëve, por më e kapshme është ndarja në faktorë rreziku ekzogjen (të jashtëm) dhe endogjen (të brendshëm). Në faktorët e jashtëm të rrezikut bëjnë pjesë: pasiviteti fizik, mënyra e ushqimit, pirja e cigares, gjendjet e stresit, shfrytëzimi jashtë mase i alkoolit, mënyra e jetesës, agjentë të ndryshëm kimik e shumë të tjera.
Në faktorët endogjen të rrezikut (të brendshëm) bëjnë pjesë: faktori i trashëgimisë, faktorët e metabolizmit, ato hormonal, mbipesha, hipertensioni, hiperglikemia (niveli i rritur i sheqerit në gjak) hiperlipidemia (niveli i rritur i yndyrave në gjak) gjinia, mosha e shumë të tjera.


Të tjera:

Zbulohet përqindje e lartë e grave që vuajnë nga osteoporoza
Rreth 200 gostivarase të diplomuara kërkojnë punë
Masat konkrete kundër dhunuesve qëndrojnë vetëm në letër
Mësoni më shumë për shëndetin tuaj reproduktiv
"Nuk duhet hyrë në marrëdhënie seksuale me çdo çmim dhe me cilindo person"!
Sëmundjet jo ngjitëse, një problem jo vetëm shëndetësor
Thinjat, dukuri normale apo pasojë e streseve

TOP