Komunat
Projektet janë gati, mungojnë paratë!
Këshilli i Komunës së Zhelinës gjatë miratimit të programit vjetor, në mesin e shumë çështjeve, ka renditur edhe ndërtimin e bulevardit për rreth selisë së komunës, por ky projekt akoma nuk është realizuar. Andaj, për realizimin e këtij projekti, komuna planifikon të aplikojë në një fondacion të jashtëm, pasi bëhet fjalë për një shumë të madhe.
Në ndërkohë, mësohet se komuna ka gati edhe projekte për ujësjellës në disa vendbanime, për rrjetin e kanalizimit në disa fshatra të kësaj komune dhe projekte të tjera në infrastrukturë. Sipas kryetarit të komunës, për realizimin e këtyre projekteve komuna në mënyrë permanente ndjek donatorët e jashtëm dhe fondet e ndryshme në kuadër të ministrive që bëjnë financime në këto fusha.
"Të gjitha këto janë projekte që në mënyrë permanente do të menaxhohen nga administrata e komunës, por pa sigurimin e mjeteve nga donatorë të jashtëm, apo nga institucionet e pushtetit qendror nuk mund të realizohen. Problemi i ujit për pije në disa vendbanime të kësaj komune është mjaft i theksuar, sidomos në fshatin Grupçin, ku nuk ka ujë për pije, apo edhe në Llërcë të Poshtme ku uji nuk është i pastër për pije", thekson kryetari i komunës, Qenan Aliu.
Sipas të dhënave të Enti për Mbrojtje Shëndetësore, në disa vendbanime të komunës së Zhelinës, uji për pije nuk është i pastër. Autoritetet e komunës së Zhelinës, kanë premtuar se do të angazhohen maksimalisht që banorëve të kësaj komune t'u sigurojnë ujë të pastër për pije, por sigurisht do të jetë paksa e vështirë për shkak se nevojiten mjete të konsiderueshme, kurse komuna me mjetet nga buxheti i saj nuk ka mundësi të realizojë projekte madhore.
Të tjera:
Aliu: "Së shpejti do të tejkalohen mangësitë"
Projektet janë gati, mungojnë paratë!
Deponia në hyrje të Treboshit kthehet në park
Qytetarët shprehin interesim për legalizim
Bukurinë që dha natyra e prish pamja e lumit përplot me mbeturina
TOP
|
|