Sport
Shmangia e barazhit, thuajse e pamundur për Shkëndinë
Skuadra e Shkëndisë humbi një ndeshje të rëndësishme kundër Pelisterit. Tetovarët udhëtuan drejt Manastirit me shpresën për një rezultat pozitiv, që do të rriste shpresat për shmangien e fundit të tabelës. Por, të vënë para presionit të barazhit edhe vendasit kërkonin me çdo kusht fitoren që përfundimisht i largonte nga rreziku. Pas kësaj humbjeje "kuqezinjtë" mbeten në vendin e 10të me 38 pikë të grumbulluara, sa ka edhe Sileksi, ndërkaq Bashkimi ka një pikë më shumë, pra 39 pikë. Javën e ardhshme Pobeda do të sfidojë Shkëndinë në stadiumin e qytetit në Tetovë për të siguruar titullin e dytë kampion në historinë e futbollit të Maqedonisë, ndërsa Shkëndija përpos fitores, do të duhet të llogarisë edhe në humbjet e Sileksit nga Pelisteri në Kratovë dhe të Bashkimit nga Vardari në Kumanovë. Një zhvillim i këtillë i ngjarjeve duket tepër i vështirë, andaj tetovarët do të bëjnë mirë nëse fillojnë përgatitjet për ndeshjen e barazhit.
Nga ana tjetër, skuadra e Renovës pas humbjes së dhimbshme në derbin kundër Shkëndisë, arriti që të marrë veten dhe të vazhdojë të bindë opinionin futbolldashës se rezultati negativ i së mërkurës ka qenë vetëm një ditë e keqe. Pas fitores kundër Sileksit Renova mbetet në vendin e pestë me 56 pikë, tre më pak se Vardari i vendit të katërt.
Skuadra e Sileksit erdhi në Tetovë në kërkim të tre pikëve që do ta largonin nga zona e balotazhit. Por, skuadra e Renovës edhe përpos humbjes kundër Shkëndisë të mërkurën e kaluar, nuk lejoi që të befasohet sërish duke shënuar dy gola dhe duke shmangur çdo dyshim mbi rezultatin përfundimtar të takimit.
Në një mot me shi, të dy skuadrat gjatë 90 minutave kishin vështirësi që të kontrollojnë topin, por përvoja e futbollistëve të Renovës doli në pah që në minutën e 23të, kur pas një krosimi të Fisnik Nuhiut, mesfushori Agron Memedi hyri furishëm në zonën e rreptësisë dhe shënoi golin e parë për skuadrën e Renovës. Pas kësaj skuadra e Renovës pati edhe disa raste për të shënuar nëpërmjet Jançevskit, Beqirit dhe Nuhiut, por pa mundur të shënojë.
Pjesa e dytë gjithashtu filloi me dominim të vendasve, por ishin mysafirët që arrijnë të barazojnë pas një gabimi të mbrojtjes së vendasve që u shfrytëzua nga sulmuesi i Sileksit, Stupiq. Gëzimi i futbollistëve nga Kratova nuk zgjati shumë. Pas një pasimi në thellësi të Beqirit, Memedi edhe një herë depërton në zonën e rreptësisë së Sileksit dhe shënon golin vendimtar të takimit.
Pas fitores kundër skuadrës së Renovës, të mërkurën e kaluar, futbollistët e Shkëndisë kërkuan që të bëjnë edhe një befasi në Manastir, por nuk ia arritën qëllimit.
Që në fillim të ndeshjes vendasit treguan se nuk do të ketë mëshirë ndaj Shkëndisë. Në minutën e 7të, Bllazhevski godet shtyllën e portës së mysafirëve nga Tetova, ndërsa tre minuta më vonë Momirovski zbulon rezultatin. Deri në fund të pjesës së parë, të dy skuadrat patën rastet e veta. Pelisteri kërcënoi nëpërmjet Mojsovit dhe Momirovskit, ndërkaq Shkëndija pati rastet e veta nëpërmjet Idrizit dhe Toleskit.
Në pjesën e dytë kuqezinjtë arritën të barazojnë shifrat që në minutën e 47të nëpërmjet Toleskit. Për fat të keq, pas këtij goli e gjithë loja u dominua nga vendasit, të cilët pas shumë rasteve arrijnë të konkretizojnë një në minutën e 83të nëpërmjet Presilskit.
Të tjera:
Mavrova në ligën te parë, nëse Rabotniçki hyn në ligën e Adriatikut
Pas fitores ndaj Milanos, Teteksi siguron pjesëmarrjen në barazh
Drita "pengohet" në Reçicë të Madhe
Shkëndija edhe një herë mund Renovën
Renova në prag të trofeut të parë në futboll
Barazimi në Kratovë, rezultat i referimit skandaloz
TOP
|
|